...
Acarimit të Presidentit amerikan ndaj tij, kancelari gjerman Friedrich Merz iu përgjigj me tone të qeta, por të prera.
Në këtë moment tensionesh me Washingtonin, Merz, ritheksoi angazhimin e Gjermanisë ndaj NATO-s dhe partneritetit transatlantik.
“Për të gjitha këto çështje, ne mbajmë kontakt të ngushtë dhe të besueshëm me partnerët tanë, duke përfshirë veçanërisht ata në Uashington. Ne e bëjmë këtë për interesin e përbashkët transatlantik. E bëjmë këtë me respekt të ndërsjellë dhe ndarje të drejtë të barrës. Dhe duke vepruar kështu, ne po ndjekim një busull të qartë, veçanërisht gjatë kësaj faze të trazuar. Kjo busull mbetet e fokusuar tek një NATO e fortë dhe një partneritet i besueshëm transatlantik”, tha Merz.
Komentet e kancelarit Merz erdhën vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA po shqyrton një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në Gjermani.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se një vendim i tillë mund të merret së shpejti. Zemërimi i tij shpërtheu pasi kancelari gjerman shprehu rezerva lidhur me ofensivën amerikane kundër Iranit.
“Ai nuk ka asnjë ide se për çfarë flet”, shkroi Trump për Merzin, duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”.