... Nami.al

Ambasadori që mund të rrëzojë Qeverinë britanike

Parlamenti britanik do të votojë të martën nëse do të nisë një hetim ndaj kryeministrit Keir Starmer, për faktin nëse ai e ka mashtruar Dhomën e Komunave në lidhje me emërimin e ish-ambasadorit Peter Mandelson, raporton gazeta ‘Times’.

Kryeministri britanik ka qenë nën kritika për muaj të tërë për shkak të vendimit të tij për të emëruar Peter Mandelson, një figurë kontroverse e Partisë Laburiste, i cili ishte mik i ngushtë i financuesit të dënuar për pedofili Jeffrey Epstein, si ambasador në Shtetet e Bashkuara.

Çdo hetim i tillë mund të ketë implikime serioze për të ardhmen politike të Starmer, mandati i të cilit në Downing Street është njollosur nga çështja Mandelson.

Deri më tani, ai i ka rezistuar presionit për të dhënë dorëheqjen për shkak të vendimit të tij për të punësuar Mandelson, por nëse zbulohet se ai e ka mashtruar me vetëdije parlamentin, do të gjendet në një pozicion shumë të vështirë.

Sipas ‘Times’, kryetarja e Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, do të miratojë një kërkesë që parlamenti të debatojë dhe të votojë nëse komisioni i tij që heton shkeljet e mundshme të privilegjit parlamentar duhet ta shqyrtojë çështjen.

Mandelson u shkarkua përfundimisht shtatorin e kaluar, me Starmer që e akuzoi atë se “gënjeu vazhdimisht” në lidhje me marrëdhënien e tij me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin.

Çështja mori dimensione të reja javët e fundit kur gazeta The Guardian zbuloi se Ministria e Jashtme i dha Mandelsonit autorizim sigurie për të marrë detyrën e ambasadorit në janar 2025, pavarësisht këshillës së një komisioni që hetonte të kaluarën e tij.

Ollie Robbins, një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme i cili u shkarkua nga Starmer pas zbulimeve, i tha dje parlamentit për “presionin e vazhdueshëm” me të cilin u përball nga Downing Street në kohën e emërimit të Mandelson.