... Nami.al

“Nuk jemi përkushtuar sa duhet”, Berisha pranon gabimet dhe porosit demokratët: Edi Rama është në pozitë të vështirë, por po lamë ne…

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne një mbledhje me kryetarët e degëve të kësaj force politike.

Lideri demokrat në këtë mbledhje pranoi disa gabime që janë bërë sipas tij ndër vite, ndërsa u dha disa porosi drejtuesve të degëve dhe atyre politikë: që të riorganizohen!

“Nga ju drejtuesit e degëve të PD kërkohet një përqendrim total në përgatitjen e protestës së ardhshme të datës 8 maj, një takim dhe biseda intensive me qytetarët për t’u shpjeguar atyre se nuk ka dhe nuk ka pasur armik më të egër se Edi Rama për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Së dyti, ju e keni të qartë se për të gjithë ju, për të gjithë ne, kryefjala e të gjithë kryefjalëve është organizim, organizim, organizim. Ne jemi parti e madhe, ata që e vënë në dyshim këtë, gabojnë. Por ne kemi pasur një problem, dhe duhet t’i njohim problemet tona, ne nuk jemi marrë në shkallën e duhur me organizimin.

Për një seri, por ne nuk jemi ata që kemi përkushtuar në shkallën e duhur energjitë, përqendrimin tonë. Ndaj dhe sot dhe çdo ditë, kryetarët, anëtarët e kryesive, drejtuesit e qarqeve, koordinatorët, kryetarët e grup seksioneve, kanë detyrën më të rëndësishme, organizimin, riorganizimin e kësaj partie, nga seksionet, gjer në drejtimet kryesore. Edhe kjo është e domosdoshme për t’u përballur me situatën e krijuar. Edi Rama është në pozitë të vështirë, nuk del më nga ky qerthull. Edi Rama del nga ky qerthull vetëm po e lamë ne”, tha Berisha.

Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, lideri demokrat uroi kryetarët e rinj të degëve të cilët kanë kaluar një proces votimi javët e fundit. Më tej, Berisha bëri një krahasim me Partinë Socialiste, duke akuzuar kryeministrin Rama që e ka kthyer në “leckë”, pasi sipas tij në partinë rivale nuk ka proces zgjedhjeve prej vitit 2009.

Pasi përsëriti akuzat ndaj kreut të qeverisë për korrupsion, duke u ndalur në veçanti në dosjen e AKSH-it por gjithashtu akuzat ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, Berisha tha se alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie.

“Në këto rrethana, çdo njeri duhet të pyesë veten, cila është alternativa e opozitës? Alternativa e opozitës është vetëm sulmi ndaj kësaj qeverie. Edhe e vërtetë, koka e shtrirë vetëm pritet. Ta ketë të qartë çdo qytetar. Përkundrazi, ne nuk do shtrijmë kokën kurrë. Ne do ngrihemi gjer në largimin e tij. Do ishte katastrofa më e madhe kombëtare sikur ne të pranonim si akt të kryer këtë akt të paprecedent të Edi Ramës”, tha Berisha i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se Rama nuk ka sfiduar vetëm ligjet dhe opozitën, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Kreu i opozitës shtoi se mbledhja e sotme është thirrur pikërisht për një çështje “jashtëzakonisht të rëndësishme”, që është protesta e datës 8 maj.

Kjo protestë sipas tij, ka të bëjë me “dy çështje themelore të narkoregjimit të sotëm. Ka të bëjë gjithnjë me farsën e tij elektorale dhe ka të bëjë gjithnjë me vjedhjen dhe mbrojtjen e vjedhjeve nga ana e tij”.