... Nami.al

Vrasja e 30-vjeçarit në Memaliaj/ Seanca nisi 20 minuta me vonesë, “arrest në shtëpi” për dy të arrestuarit

Seanca për caktimin e masës së sigurisë në Gjirokastër ndaj Aldo Kalemit dhe dhëndrit të tij, Dali Nela, është zhvilluar me rreth 20 minuta vonesë, për shkak të mungesës fillestare të gjyqtares dhe prokurores së çështjes.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën “arrest në shtëpi” për të dy të arrestuarit, duke mbështetur kërkesën e prokurores së çështjes.

Sipas prokurores Aulona Haxhiraj, ngjarja e ndodhur tre ditë më parë në Memaliaj ka nisur si një konflikt mes dy personave, për të vijuar më pas me përfshirjen e personave të tjerë.

Nga hetimet dhe pamjet e sekuestruara rezulton se viktima, Endri Goxhaj, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Dali Nelajt, duke e plagosur.

Pas kësaj, dy vëllezërit e Nelajt, Donaldo dhe Marjoldo, kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të Goxhajt. Pas të shtënave, vëllezërit kanë transportuar Dali Nela-n drejt spitalit të Gjirokastër për ndihmë mjekësore dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Romena Qamo vendosi masën “arrest në shtëpi” për Aldo Kalemin dhe Dali Nela, duke pranuar argumentet e prokurorisë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e personave të tjerë.