...
Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Jorgo Goros dhe të pandehurve të tjerë, sa i takon vendimit të fajësisë.
Nga ana tjetër po kjo gjykatë ka vendosur prishjen e vendimit për çështjen e konfiskimit të pasurisë.
Ish-kryebashkiaku i Himarës u kthye në qeli, më 31 mars, pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së.
Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
SPAK kërkoi më 31 mars rikthimin e kryebashkiakut të Himarës në burg, pasi sipas përllogaritjeve të bëra, duke marrë në konsideratë kohën e kaluar në paraburgim, Goros i mbeten për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë.
Ai u arrestua më 23 mars të 2024-ës, teksa gjatë hetimit dhe gjykimit në Gjykatën e Posaçme kërkoi vazhdimisht pafajësinë. Lirinë e fitoi në gusht të vitit të shkuar.
Çështja për të cilën ai është dënuar lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës. Për këtë rast, ai ishte shpallur fajtor edhe në shkallë të parë nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.
Ndërkohë, më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë. Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.