... Nami.al

Greqi/ Vrau gruan me çekiç dhe e fshehu trupin një javë në papafingo, shqiptari: Isha i tërbuar, i kërkoj ndjesë fëmijëve

Është zhvilluar sot në Greqi seanca e radhës e gjyqit për shqiptarin, Kastriot Cenko, i cili dy vite më parë vrau me çekiç bashkëshorten dhe e fshehu trupin në papafingo.

I pandehuri e ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ishte i tërbuar teksa u kërkoi falje fëmijëve të tij dhe familjes së gruas së tij.

“Unë jam ndërtues. E mohoj akuzën ashtu siç është. Isha në gjendje të tërbuar, nuk isha në një gjendje të qetë mendore siç thotë aktakuza, nuk kishte paramendim”, tha ai, teksa shtoi se gjithçka ndodhi papritur.

“Dua t’u kërkoj falje të thellë fëmijëve të mi që i ndava nga nëna e tyre dhe një falje të thellë familjes së saj”.

Ndërkohë nëna e viktimës dëshmoi se e bija punonte shumë sepse burri i saj nuk sillte para në shtëpi, ndërsa seanca e radhës e gjyqit do të mbahet muajin tjetër.

“Ai më telefonoi dhe bëri sikur ishte i shqetësuar për vajzën time. Më tha se kishte marrë valixhen dhe ishte larguar. Pyesja veten nëse ai ishte larguar vërtet për në Shqipëri. E pyeta nipin tim “ku është nëna jote” dhe ai më tha “Nuk e di”, dëshmoi nëna e Albës (viktimës).

Me lot në sy nëna e viktimës tha se Cenko pavarësisht të gjithave asgjë nuk ia kthen vajzën.

“Nuk duhej të kishte arritur deri këtu. Vajza ime më thoshte se ishte e trishtuar, se punonte shumë dhe se po bënte tre punë sepse ai nuk po sillte para në shtëpi. Ajo më kishte treguar se nuk po kalonte mirë në shtëpi, por jo se kishte ndërmend të braktiste burrin dhe fëmijët e saj. Nuk dua që t’i bëjnë asgjë, dua që ai të ma kthejë vajzën. A mundet?”, tha ajo.

Kur ndodhi krimi

Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024, në Ampelokipi. Pasi i gjuajti me çekiç në kokë shqiptari e fshehu trupin e Alba Cenkos, për një javë në papafingon e shtëpisë.

Teksa planifikoi se si do të justifikonte zhdukjen e saj, Kastriot Cenko përdori celularin e viktimës për të mashtruar djemtë e tyre të mitur dhe familjarët e Albës. Prej kohësh autori ishte i bindur se gruaja e tradhtonte me një shok.