... Nami.al

Sherr masiv mes të rinjve në Vlorë, dy të plagosur rëndë pas goditjeve me sende të forta

Një konflikt i dhunshëm ka përfshirë një grup të rinjsh ditën e sotme në qytetin e Vlorës, duke lënë pas dy persona të dëmtuar rëndë. Ngjarja është shënuar në lagjen “Lef Sallata”, në rrugicat pas Bulevardit “Ismail Qemali”. 

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, rreth 10 persona janë përfshirë në një sherr masiv, i cili dyshohet se ka nisur fillimisht si një debat i çastit për motive banale.

Situata ka degraduar shpejt në dhunë fizike, ku palët e përfshira kanë përdorur sende të forta kundër njëri-tjetrit, përfshirë edhe copa tullash.

Si pasojë e kësaj përplasjeje brutale, dy shtetas të identifikuar me inicialet S.L. dhe B.Ll., kanë mbetur të plagosur.

Ata kanë marrë dëmtime të rënda, veçanërisht në zonën e kokës, dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta të Policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

Uniformat blu kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për mbledhjen e provave materiale dhe sigurimin e kamerave të sigurisë, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij konflikti.