...
Bisedimet e mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad mbeten në pasiguri, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë mungesë qartësie nga të dyja palët.
Zëvendës presidenti amerikan, JD Vance, i cili pritej të nisej drejt Pakistanit, ka shtyrë udhëtimin dhe po qëndron në Washington për të marrë pjesë në takime shtesë në Shtëpinë e Bardhë, sipas New York Times.
Po ashtu, i dërguari special i presidentit, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner nuk janë nisur ende drejt Pakistanit, megjithëse pritej të ishin pjesë e delegacionit amerikan.
Nga ana tjetër, Irani nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në bisedime.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se kjo lidhet me “mesazhe kontradiktore, sjellje të paqëndrueshme dhe veprime të papranueshme nga pala amerikane”.
Ai gjithashtu dënoi raportimet për sulme ndaj anijeve iraniane, duke i cilësuar si shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.
Më herët, ministri i Informacionit i Pakistanit, Ataullah Tarar, theksoi se vendimi i Teheranit për të marrë pjesë përpara përfundimit të armëpushimit dyjavor është “thelbësor”.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka sinjalizuar se nuk është i gatshëm të zgjasë armëpushimin nëse nuk arrihet një marrëveshje. I pyetur në një intervistë për CNBC nëse do të lejonte vazhdimin e tij në rast progresi në negociata, ai u përgjigj: “Nuk dua ta bëj këtë”.
Megjithatë, nga Teherani ka edhe sinjale të kujdesshme për hapje ndaj diplomacisë. Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, deklaroi se Irani është i gatshëm për negociata nëse ato zhvillohen mbi bazën e respektit dhe njohjes së ndërsjellë.