... Nami.al

Gratë e dyshimta u afrohen fëmijëve në Tiranë? Policia: Janë nga Irani, s’ka rrezik!

Prej disa ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë disa video, ku shfaqen gra të veshura, të cilat sipas denoncimeve ato u afrohen fëmijëve të mitur.

Kjo situatë ka alarmuar prindërit, duke shprehur shqetësimet e tyre, ndërsa sot reagoi Policia e Shtetit duke thënë se gratë janë shoqëruar dhe pas verifikimeve ka rezultuar se nuk kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.

Policia po ashtu sqaron se këto gra janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Policia e Shtetit thote se garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.

Reagim i Policisë së Shtetit:

Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.

Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.

Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.