... Nami.al

Edi Rama mesazh bizneseve për Sigurinë Ushqimore: Futja në BE, thikë me dy presa! Mund të bini në humnerë, ose…

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një mesazh të qartë për të gjitha bizneset që të zbatojnë standardet e sigurisë ushqimore, pasi sipas tij, në këtë momentum të negociatave finale për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të jenë kusht i panegociueshëm.

“Standardet europiane janë sfida për t’u fituara, janë maja të vështira për t’u arritur, në fund të ditës, nuk janë zinxhir në këmbët tona, por krahë që na lehtësojnë ngjitjen më lart. Kur flasim për ecje drejt Europës, nuk flasim për një udhëtim jashtë vendit, por ripërtëritje tërësore të vendit.

Ne na duhet modernizimi i sistemit veterinar, modernizimi i rrjtetit të laboratorëve. Këto nuk konsiderohen detyra, por zgjedhje të pashmangshme për të nesërmen. Dhe në fund, ligji i shkruar nuk bën punë, punën e bëjnë njerëzit që zbatojnë ligjin”, u shpreh Edi Rama.

Në krah të ambasadorit të BE, Gonzato, dhe shefes së AKU, Blerina Gjylameti, kryeministri tha se e nesërmja do të jetë fatale për bizneset shqiptare që operojnë në këtë fushë, sepse ata që janë të përgatitur do të jenë përballë një horizonti të ri mundësish, në të kundërt nuk do të ushtrojnë me aktivitet.

“Ajo që e pret sipërmarrjen me këtë proces të anëtarësimit në BE, është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, një horizont i ri mundësish për ata që do jenë të përgatitur, nga ana tjetër një humnerë për ata që do të jenë të papërgatitur.

E nesërmja do të jetë fatale nëse sot nuk do të kuptojnë ku janë në raport me standardet dhe çfarë do të bëjnë për të qenë gati nesër”, përmbylli Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, duke theksuar nevojën për mbështetje të sektorit dhe modernizim.