...
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se zëvendëspresidenti J.D. Vance nuk do të udhëheqë delegacionin amerikan në raundin e ri të bisedimeve me Iranin në Pakistan për arsye sigurie.
“Është vetëm për çështje sigurie. J.D. është i shkëlqyer”, u shpreh Trump në një intervistë për ABC News, duke sqaruar se Shërbimi Sekret nuk kishte mundur të garantonte masat e nevojshme të sigurisë në kohë për udhëtimin drejt Islamabadit.
Megjithatë, në një deklaratë të mëvonshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Vance pritet të marrë pjesë në bisedime, duke lënë të paqartë rolin e tij përfundimtar në delegacion.
Më herët gjatë ditës, zyrtarë amerikanë kishin lënë të kuptohej se ai do të ishte në krye të negociatave. Në raundin e mëparshëm në Islamabad, Vance ishte shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht pjesëmarrjen në bisedimet e reja, megjithatë sipas burimeve, delegacioni iranian pritet të mbërrijë në Pakistan të martën. Në përbërje mund të jenë figura kyçe si kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi dhe negociatori Ali Bagheri Kani.
Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se pritet një deklaratë simbolike për zgjatjen e armëpushimit, ndërsa nëse zhvillimet ecin pozitivisht, nuk përjashtohet edhe një takim i nivelit të lartë mes presidentëve të SHBA dhe Iranit, me mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët në Islamabad.