...
Shqipëria zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Naradovi” të Varshavës, ku do të luajë sot në 20:45 ndaj Polonisë ndeshjen e parë eliminatore të Euro2024, që do të zhvillohet në Gjermani. Në këtë takim, kuqezinjtë pritet që të luajnë me një skemë ndryshe nga 3-5-2-shi i Edi Rejës, teksa rreshtimi i ri do të jetë 4-3-3.
Në portë shanset më të mëdha janë që të luajë Tomas Strakosha, pasi Sylvinho e pëlqen për faktin se ai është mjaft i aftë në kontrollin e topit me këmbë. Në mbrojtje ka një dilemë mes Veselit dhe Mihajt, me këtë të fundit më të avantazhuar. Nga ana tjetër, Kumbulla është i sigurt në 11-dhe. Ndërkohë, në mbrojtje me shumë mundësi do të luajnë Balliu dhe Hysaj.
Në qendër të mesfushës do të vendoset Ylber Ramadani, ndërkohë përkrah tij Qazim Laçi dhe një mes Kristjan Asllanit dhe Amir Abrashit, i cili ka lënë pas gjendjen gripale. Në sulm pritet që Sylvinho t’i besojë nga minuta e parë Jasir Asanit, ndërkohë që në qendër me shumë mundësi do të luajë Cikalleshi. Në të majtë pritet Uzuni, që ka lënë pas shqetësimet fizike.