...
Një konflikt i mundshëm mes disa grupeve të miturish është parandaluar nga Policia e Tiranës në zonën e Kombinatit. Në kuadër të ndërhyrjes, 28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë.
Pas marrjes së informacionit, se disa grupe të miturish do të përfshiheshin në një konflikt, efektivët organizuan ndërhyrjen dhe lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata” disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohej se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Të rinjtë u shoqëruan në ambientet e Komisariatit Nr. 6.
Gjatë kontrollit fizik, disave prej tyre iu gjetën thika, kaçavida dhe maska. Në total, Policia sekuestroi 5 armë të ftohta dhe mjete të mprehta, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
“Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta/ mjete të mprehta. Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.
Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6. Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme”, thuhet në njoftim.