... Nami.al

Lirohen katër nxënësit shqiptarë të ndaluar në Mal të Zi, pse bënë simbolin e shqiponjës

Katër nxënës të mitur nga Shqipëria, të cilët u ndaluan nga autoritetet malazeze më 31 tetor në qytetin e Kotorit, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi. Sipas të dhënave të siguruara nga diplomacia shqiptare, ndalimi i të miturve kishte pasuar një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Që nga momenti i marrjes së njoftimit për ngjarjen e deri në përfundimin e të gjitha hapave ligjore, përfaqësuesit e trupit diplomatik shqiptar kanë qenë në ndjekje të drejtpërdrejtë të rastit për t’u ofruar mbrojtje e mbështetje nxënësve.

Në njoftimin zyrtar thuhet se “që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore”.

Po ashtu, përfaqësia diplomatike bëri me dije se gjatë kësaj periudhe ka mbajtur komunikim të pandërprerë me autoritetet e vendit fqinj, si dhe me familjarët e mësuesit e të miturve.