... Nami.al

Emri/ Vrau bashkëkombasin në Selanik para gjashtë vitesh, arrestohet në Greqi 26-vjeçari korçar!

Një 26-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Romarjo Tahiri, është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me thikë të bashkëkombësit Spartak Dervishi, ngjarje e ndodhur në Selanik në vitin 2020.

Tahiri dyshohet se ka marrë pjesë në kryerjen e krimit në bashkëpunim me dy persona të tjerë.

Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, pas kërkimeve për lokalizimin e tij, pasi ndaj 26-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar.

Sipas hetimeve, viktima fillimisht është dhunuar dhe më pas është goditur me mjete prerëse, duke humbur jetën.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë për ngjarjen e rëndë të vitit 2020.

Njoftimi:

Policia e Shtetit / Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “The Ëanted”.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, në vitin 2020, kapet në Greqi 26-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Ëanted”, u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. T., 26 vjeç, i lindur në Korçë.

Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, shtetasi R. T., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D., të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.

Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.