Ballist Morina ka vizituar në spital Erjon Vishkullin, i riu i cili po merr trajtim mjekësor pas dëmtimit të rëndë në sy gjatë protestës dhunshme të zhvilluar në Tiranë disa ditë më parë.
I riu nga Kukësi, i njohur për ngritjen e dronit me flamurin shqiptar gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, më 14 tetor 2014, ka ndarë me të një moment simbolik në rrjetet sociale.
Gjatë vizitës, Morina i ka dhuruar Vishkullit një fanellë me flamurin që u bë më i njohur në botë pas incidentit në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Bashkë me dhuratën, ai i ka lënë edhe një dedikim me mesazh patriotik, “Për autoktonin Erjon Vishkulli. Rroftë shpirti i shqiptarit. Përshëndetje fitores, Zoti është shqiptar”.
Vishkulli u transportua me urgjencë drejt Romës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë pas plagosjes në sy.
Sipas informacioneve të bëra publike, ai ka arritur të ruajë syrin dhe tashmë ka nisur një proces rikuperimi për të përmirësuar shikimin.
