... Nami.al

Pas vendimit të KLGJ për gjyqtarët, edhe KLP rrit pagën referuese të prokurorëve

Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, që vendosi rritjen e pagës referuese për gjyqtarët, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë të njëjtin vendim për sistemin e prokurorisë.

Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP vendosi që paga referuese të jetë 222.425 lekë, së cilës i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Në total, baza e përllogaritjes arrin në 236.425 lekë.

Vendimi i KLP-së shtrin efektet drejtpërdrejt vetëm për anëtarët e Këshillit, pasi paga e tyre përllogaritet mbi bazën e pagës së prokurorit. Megjithatë, KLP i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të zbatojë të njëjtën pagë referuese edhe për prokurorët, por ‘de facto’ KLP e ka caktuar edhe pagën e prokurorëve dhe nga prokuroria e përgjithshme kërkon thjesht një vendim formal.

Anëtari i KLP-së Erind Mërkuri, argumentoi se vendimi është i detyruar nga boshllëku ligjor i krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“GJK ka vendosur shfuqizimin e një norme. Efekti ishte me afat duke i dhënë kohë Kuvendit për të plotësuar boshllëkun. Në mbledhjen Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit ta kalonte qeverisë. Qeveria nuk ka pranuar

Në këtë moment nuk ka më bazë ligjore për pagën në Shqipëri. Legjislacioni nuk ecën duke lejuar absurde. Doktrina thotë se në këto raste mosveprimi të ligjvënësit mbulohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimet e GJK janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Unë personalisht në një rast kam përfaqësuar Kuvendin por sigurisht në këtë rast duhet të zbatojmë vendimin e Kushtetueses. Në këtë pikë është përgatitur një relacion. Paga referencë është paga në Kryeministri, kategoria drejtor i përgjithshëm, (në atë kohë ka qenë drejtor kabineti, sot nuk ekziston më).

Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, tha ai.