...
Sebastian Templet, 28 vjeç, shtetas norvegjez, është arrestuar në zonën e Plepave në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze dhe shqiptare.
Arrestimi i tij u krye nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, në kuadër të një tjetër faze të operacionit të koduar “Fast”.
Sipas Policisë, Templet ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet gjyqësore norvegjeze, në prill 2026, kishin lëshuar urdhër arresti ndaj tij për kanosje dhe prishje të qetësisë publike.
Ndërkohë, në Shqipëri, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar në maj 2026 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e 28-vjeçarit u zhvillua në koordinim me Interpol Tiranën dhe homologët në Norvegji.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurat për ekstradimin e Sebastian Templet drejt Norvegjisë.