...
Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen në rajon dhe Evropë, ndërsa Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të rënduar epidemiologjike. Deri më tani, në vend janë regjistruar 53 raste të prekura, 50 prej tyre të konfirmuara në laborator dhe 3 të dyshuara, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në gjashtë.
Viktima e fundit është një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili ndërroi jetë pas 15 ditësh i shtruar në spital, me një gjendje të rënduar klinike dhe sëmundje të rënda shoqëruese.
Sipas drejtorit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, nga 51 pacientë të shtruar deri tani, 27 janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Aktualisht, 18 pacientë vijojnë të marrin trajtim, ndërsa 15 prej tyre kanë shfaqur formën neuroinvazive të infeksionit. Pesë pacientë ndodhen në terapi intensive për shkak të gjendjes së rënduar.
Shqetësim shtesë për autoritetet përbën edhe konfirmimi i virusit te shpendët. Një korb i ngordhur i gjetur në një park në Resnjë rezultoi pozitiv, duke shënuar rastin e dytë te shpendët në Maqedoninë e Veriut. Shpendët janë bartës natyrorë të virusit, i cili transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Një rast i konfirmuar edhe në Shqipëri
Edhe në Shqipëri është konfirmuar një rast i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një 72-vjeçar, i cili po trajtohet në bllokun e izolimit në Spitalin e Korçës dhe aktualisht konsiderohet rasti i vetëm i raportuar në vend.
Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të mos përfshihen nga paniku, duke theksuar se sëmundja nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, por përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Epidemiologët theksojnë se ky nuk është viti i parë që në Shqipëri regjistrohen raste me ethet e Nilit Perëndimor. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma. Sipas specialistëve të ISHP-së, rreth 80% e të infektuarve nuk shfaqin shenja, ndërsa tek pjesa tjetër simptomat mund të variojnë nga temperaturë dhe dhimbje koke deri në forma të rënda që prekin sistemin nervor.
Më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjeç, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Situata në Evropë
Përhapja e virusit është raportuar edhe në vende të tjera të Evropës. Italia ka regjistruar 432 raste të konfirmuara dhe 17 viktima, ndërsa në Greqi janë raportuar 232 raste dhe 19 vdekje.
Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të shpejtë të rasteve në rajon gjatë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës dhe të pranisë së virusit te njerëzit dhe shpendët.
Për virusin e Nilit Perëndimor nuk ekziston një trajtim specifik. Në rastet e rënda, trajtimi është kryesisht mbështetës dhe synon menaxhimin e simptomave dhe komplikacioneve.