... Nami.al

Vrau veten në një burg në Spanjë, ja kush është shqiptari që i dha fund jetës së vet

Është publikuar ditën e sotme fotoja dhe emri i shqiptarit i cili para dy ditësh i dha fund jetës së tij në një burg të Spanjës. Mësohet se viktima është shtetasi shqiptar Jurgen Rama, me origjinë nga Burreli.

Sakaq ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në burgun Lleida Ponent, në Katalonjë të Spanjës.

Sipas të burgosurve shqiptarë në institucionin e vuajtjes së dënimit, mësohet se Jurgeni ka kaluar një periudhë të vështirë psikologjike, sipas JOQ Albania.

Jurgeni raportohet se para pak kohësh kishte humbur vëllain në një aksident, ndërsa ishte i burgosur dhe ishte në pritje të lirimit.

Zvarritjet e proceseve gjyqësore në Spanjë, sipas tyre, kishin rënduar gjendjen e tij dhe e kishin çuar në depresion.

Mirëpo vetëvrasja e Jurgeni merr përmasa më të mëdha, pasi raportohet se shqiptari kishte tentuar dhe më 16 gusht t’i jepte fund jetës, por u shpëtua falë disa shqiptarëve me të cilët ndante qelinë.

Vetëvrasja e të riut brenda burgut ka ngritur pikëpyetje të shumta, ndërsa dyshimet janë te mosfunksionimi si duhet i institucionit spanjoll të vuajtjes së dënimit.