... Nami.al

Zelensky nga Beogradi: Qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shtruar një darkë në nder të presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky, i cili ndodhet për vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi.

Në një postim në Instagram, Vuçiç tha se i uroi mirëseardhjen Zelensky-t në Beograd dhe se darka ishte rasti i parë për të hapur bisedimet për temat që do të jenë në fokus të takimeve zyrtare.

“Është kënaqësi të kem mundësinë të pres presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelensky, i cili për herë të parë ndodhet për një vizitë zyrtare në Serbi. Jam i bindur se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Ukrainës, si edhe të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, shkroi Vuçiç.

Ai shtoi se gjatë darkës u diskutua edhe për rrugën evropiane të Serbisë dhe Ukrainës, ndërsa theksoi se pritja ishte një mundësi për t’u prezantuar mysafirëve fryma e Serbisë dhe një pjesë e traditës së vendit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Ndërkaq, Vuçiç tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak.

“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiç, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi.

Vizita e Zelenskyt në Serbi vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës.

Sipas Zelensky-t, një sulm me dron në Pukhivka, në rajonin e Kievit, vrau tre persona, mes tyre edhe një fëmijë 3-vjeçar. Viktimat ishin gjyshi, gjyshja dhe nipi i tyre.

Katër persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital. Mes tyre ishin prindërit e fëmijës, vëllai i tij 15-vjeçar dhe një fqinj që kishte shkuar për të ndihmuar familjen.

Një tjetër person humbi jetën në Kiev pas një sulmi me gjashtë raketa balistike ndaj infrastrukturës civile.

Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të shtojë presionin ndaj Rusisë dhe të vendosë sanksione të reja për të penguar prodhimin e raketave balistike.