...
Një sherr mes dy personave rrezikoi të përshkallëzohej rëndë. Kur mbërriti Policia, njëri prej tyre u kap i armatosur, ndërsa hetimet zbuluan edhe çfarë dyshohet se kishte planifikuar
Një konflikt mes dy personave në zonën e Spillesë, Rrogozhinë, ka rrezikuar të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë, ndërsa ndërhyrja e Policisë çoi në arrestimin e një 31-vjeçari të armatosur.
Në pranga është vënë Neldi Hallulli, 31 vjeç, i cili sipas Policisë dyshohet se, pas një konflikti me 38-vjeçarin Indrit Rama, kishte për qëllim ta vriste atë me armë zjarri.
Policia bëri të ditur se mori informacion në rrugë operative për konfliktin që po zhvillohej në zonën e Spillesë dhe shërbimet e Komisariatit të Kavajës, së bashku me Postën e Policisë Rrogozhinë, ndërhynë menjëherë.
Në momentin kur u kap, sipas autoriteteve, Hallulli mbante me vete një armë zjarri kallashnikov të pajisur me municion luftarak.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se konflikti mes Hallullit dhe Ramës kishte nisur më herët dhe më pas situata ishte përshkallëzuar deri në përdorimin e armës.
Policia thotë se ndërhyrja e saj parandaloi përshkallëzimin e ngjarjes dhe pasoja të mundshme ndaj 38-vjeçarit.
Edhe Indrit Rama është proceduar penalisht për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi sipas Policisë kishte goditur me grushte Neldi Hallullin, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Arma e zjarrit kallashnikov dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.