... Nami.al

Aplikimet në universitete nisin më 27 korrik, maturantët kanë 6 ditë për të zgjedhur degët

Maturantët që synojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet publike dhe private në vend do të mund të nisin aplikimet duke filluar nga 27 korriku. Procesi zhvillohet përmes portalit U-Albania, ku kandidatët do të plotësojnë formularin A2.

Përmes këtij formulari online, secili maturant mund të përzgjedhë deri në 10 programe studimi, sipas preferencave dhe rezultateve të arritura. Zgjedhjet mund të përfshijnë degë të ndryshme brenda të njëjtit universitet ose të njëjtin program studimi në universitete të ndryshme.

Procesi i aplikimit do të qëndrojë i hapur për gjashtë ditë dhe mund të kryhet nga çdo vend, brenda apo jashtë Shqipërisë, përmes aksesit në platformën U-Albania.

Drejtues të Rrjetit Akademik Shqiptar u bëjnë thirrje kandidatëve të shqyrtojnë me kujdes zgjedhjet e tyre përpara dorëzimit përfundimtar të formularit, duke vlerësuar mundësitë e pranimit bazuar në pikët e grumbulluara.

Pas mbylljes së aplikimeve, Rrjeti Akademik Shqiptar do t’ua përcjellë të dhënat universiteteve, të cilat do të kryejnë përllogaritjen e pikëve për rreth 29 mijë kandidatë. Ky proces do të nisë pas datës 20 gusht, pasi të kenë përfunduar edhe konkurset për programet që kërkojnë testime shtesë, si Mjekësia, Arkitektura, Artet dhe Sportet.

Lista e fituesve në universitetet publike dhe private pritet të publikohet në fund të muajit gusht.