...
Chris LaCivita, një nga arkitektët kryesorë të fushatës së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024, është rikthyer në qendër të operacionit politik republikan, ndërsa ekipi i presidentit amerikan ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e mesit të mandatit.
LaCivita është pjesë e rrethit të ngushtë të këshilltarëve politikë të Trump që po koordinojnë strategjinë e Partisë Republikane, mesazhet elektorale dhe shpërndarjen e fondeve për betejat e ardhshme në Kongres, sipas një raportimi të fundit të Axios. Ai është përfshirë në takimet e nivelit të lartë të ekipit MAGA, së bashku me figura si Susie Wiles, Tony Fabrizio dhe James Blair.
Por përpara rikthimit në skenën amerikane, LaCivita pati një angazhim të veçantë jashtë Shteteve të Bashkuara: ai u përfshi në fushatën elektorale të Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke punuar si strateg politik për liderin e opozitës, Sali Berisha, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Strategu amerikan, i cili kishte luajtur një rol të rëndësishëm në rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, u angazhua për të sjellë në Shqipëri elemente të modelit të fushatave amerikane të tipit Trump, me fokus te komunikimi i drejtpërdrejtë me votuesit, mobilizimi i bazës elektorale dhe ndërtimi i një narrative kundër qeverisë në pushtet.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve shqiptare nuk ishte ai që priste LaCivita.
Pavarësisht humbjes elektorale, angazhimi i LaCivitës në Shqipëri pati një tjetër dimension politik: çështjen e marrëdhënieve të Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara.
Berisha ishte shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021, për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës publike, pretendime të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.
Pas ndryshimeve politike në Washington dhe lobimeve të vazhdueshme e të kushtueshme të Berishës megjithatë, autoritetet amerikane miratuan së fundmi lehtësime që i mundësuan Berishës të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, përfshirë raste të lidhura me arsye shëndetësore. Përcaktues për këtë mendohet të ketë qenë edhe vetë LaCivita, përmes lobimit të tij.
Vendimi u bë publik nga vetë Berisha, ndërsa autoritetet amerikane konfirmuan ekzistencën e mekanizmave ligjorë për dhënien e përjashtimeve nga kufizimet e hyrjes në SHBA.
Ky zhvillim u pa nga mbështetësit e Berishës si një rikthim i pjesshëm i marrëdhënieve me Washingtonin, ndërsa kundërshtarët e tij argumentuan se çështja politike dhe juridike mbetet ende e debatueshme.
Për LaCivitën ndërkaq, rikthimi te Trump shënon kalimin nga një betejë e vogël ndërkombëtare elektorale në një prej garave më të rëndësishme të politikës amerikane. Tani ai do të jetë pjesë e përpjekjes së republikanëve për të ruajtur kontrollin e Kongresit dhe për të mbrojtur bilancin politik të presidencës së dytë Trump.