... Nami.al

Mos u largoni nga Tirana: Seancë surprizë në Kuvend, pas mbledhjes së Ramës me PS

E enjtja e 23 korrikut duhej të ishte seanca e fundit përmbyllëse e këtij sesioni parlamentar, ngjeshur me mbi 30 pika në rendin e ditës.

Por socialistët kishin marrë porosi edhe më herët që të mos largohen. Motivi u kuptua shpejt.

Konferenca e Kryetarëve do të thërrasë deputetët sërish më 30 korrik, me vetëm dy pika në rend dite, p/ligjet për arkivat dhe për të drejtën e autorit. 

Ajo që nuk kuptohet, është përse socialistët nuk mund të presin shtatorin për t’i miratuar këto dy projektligje, pasi nuk kanë ndonjë emergjencë.

Dyshimet, edhe mes socialistëve, janë se mund të ketë ndryshime të tjera në Qeveri.

Dhe deri në shtator, do ishte kohë e gjatë, me ministra të shkarkuar, por zyrtarisht ende në detyrë.

Megjithatë, por momentin asgjë nuk ka të konfirmuar.

E vetmja gjë që mbetet në fuqi, është urdhri i Taulant Ballës për deputetët socialistë, që mos të largohen nga Tirana.