... Nami.al

‘Revolucioni Flamingo’, nis protesta e 22-të në Tiranë

Në Tiranë ka nisur dita e 22-të e protestës masive qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike.

Protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin “Skënderbej” për t’iu drejtuar më pas bulevardit drejt godinës së Kryeministrisë, ku si përherë mbahen fjalimet përpara marshimit.

Protesta e 22-të zhvillohet një ditë pas kulmit të mobilizimit dhe pjesëmarrjes së diasporës.

Protesta e djeshme u shndërrua në ditën e Diasporës. Flamujt kuqezi dominuan bulevardin, ndërsa mijëra shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës iu bashkuan marshimit drejt Kryeministrisë, duke i dhënë protestës një dimension të ri simbolik.

Mbrëmjen e së shtunës pati dhe një incident me një grup protestuesish të maskuar që përdhosën flamurin izraelit.

Nga sheshi, aktivisti Arben Kola tha se bëhet fjalë për grupe të infiltruara mes tyre, duke shtuar se distancohen nga veprimi.

“Mes nesh dje apo ditë të tjera ka grupe të infiltruara. Ne ndoshta në ditët në vazhdim do të dalim edhe me fytyra e emra që t’i demaskojmë. Distancohemi dhe do të mbajmë një deklaratë”, tha Kola.