... Nami.al

Detaje të reja për arrestimin e Ervin Matës: Ja si hyri fshehurazi në Brazil!

Prej më shumë se dy vitesh, Interpol Tirana kishte siguruar informacione se Ervin Mata fshihej në Brazil, vend ku edhe u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

39 vjeçari jetonte mes Brazilit dhe Paraguait.

Në momentin që u ndalua, Mata i dorëzoi policisë vendase dokumente të falsifikuara të Paraguait me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, mjet identifikimi që skadonte në 2030-ën.

Po ashtu Mata posedonte dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, si një kartë identiteti dhe pasaportë bullgare, të skaduar që në vitin 2024.

Gjatë arrestimit në periferi të San Paolos, ai u kap me disa shtetas të tjerë, pjesë e narkotrafikut.

I cilësuar si “manjat” (bos droge), ai u arrestua në një operacion policor në Ilhabela, në bregdetin verior të Sao Paulo, për llogari të autoriteteve në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe nga Shqipëria.

“Një burrë u gjet në një qendër tregtare pas një operacioni nga Policia Ushtarake; ai dyshohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe mund të ekstradohet. Ervin Mata u arrestua të shtunën në mbrëmje (25), në Ilhabela, në Bregun Verior të São Paulo, pas një operacioni nga Policia Ushtarake. Ai konsiderohej i arratisur nga drejtësia për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim kriminal”, informon media braziliane.
Një tjetër detaj me rëndësi ka qenë se urdhër-arresti për Ervin Matën u lëshua nga gjykatësi ministri Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF) në shtator të vitit të kaluar.

Sipas urdhrit të arrestit, i dyshuari dyshohet se ka koordinuar, me bashkëpunëtorë, trafikimin e 240 kilogramëve kokainë më 29 shtator 2020, në qytetin e Frankfurtit, Gjermani.

“Me anë të kësaj urdhëroj ndalimin parandalues ??të Ervin Matës, duke përcaktuar lëshimin e një urdhër-arresti, ekzekutimi i të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit përkatës”, thuhet në vendim.
Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacionet e inteligjencës treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela.

Mata rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që prej vitit 2023 për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në disa shtete.