...
Rreth 10 milionë banorë të Teheran u zgjuan me një mëngjes të mbuluar nga re të dendura të zeza, pas sulmeve izraelite që goditën depot e naftës iraniane, raporton nga vendi korrespondenti i CNN, Fred Pleitgen.
“Duket se shiu, uji i shiut, është i zi, duket i ngopur me naftë”, tha Pleitgen në reportazhin e tij. “Kjo është ajo që po ndodh këtë mëngjes në kryeqytetin iranian, një lloj shiu i mbushur me naftë pas sulmeve”.
Sulmet kanë goditur veçanërisht rafinerinë Shahran, që në disa video duket e mbuluar nga tymi dhe flakët.
Një banor i zonës rrëfeu: “Pashë shpërthimin gjatë natës, ndriçoi qiellin, një gjë që nuk kisha parë kurrë më parë. Dukej si fundi i botës, ose fillimi i asaj që më kujton ferrin”.
Mbrojtja Civile e Teheranit paralajmëron qytetarët: Kujdes nga shiu me acid
Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane ka paralajmëruar banorët e Teheranit për rrezikun e përzierjes së komponentëve toksikë në atmosferë pas shpërthimeve në depot e naftës gjatë sulmeve SHBA–Izrael në Teheran.
“Mund të ndodhë shi acidik i rrezikshëm,” njoftoi organizata, duke theksuar se disa zona të kryeqytetit tashmë kanë filluar të lagen nga ky shi me përbërje të dëmshme.
Mbrojtja civile ka këshilluar qytetarët të qëndrojnë brenda shtëpisë. Një re e madhe tymi është përhapur në qiellin e Teheranit këtë mëngjes, duke errësuar horizontin, dhe më pas ka rënë pak shi me ngjyrë të errët mbi kryeqytet.