... Nami.al

Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, LDK paralajmëron: Nuk do të votojmë pa marrëveshje politike

Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Seanca udhëhiqet nga Avni Dehari si deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga Fatma Tuci si deputetja më e re në moshë.

Rendi i ditës së kësaj seance është miratuar të martën. Nis me formimin e komisionit për verifikimin e mandateve, vazhdon me betimin e deputetëve. Pasohet nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe pastaj nënkryetarët.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket postit të nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, të martën partitë politike janë dakorduar që pesë nënkryetarët të hidhen në votim në pako.

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se i takon partisë fituese- të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokada si vitin e kaluar. Ai paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike mes partive.

“Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm; krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj para nisjes së seancës konstituive.