...
49-vjeçari Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, është paraqitur të mërkurën në Gjykatën Penale të Tiranës, ku po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Zalla akuzohet për “Mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve” dhe mbrohet nga avokati Dritan Gina. Seanca është hapur nga gjyqtarja Lorena Çabej, e cila pritet të dëgjojë pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtjes.
49-vjeçari u arrestua të hënën, pas një operacioni policor në fshatin e tij pranë Fushë-Krujës. Sipas informacioneve, ai kishte mundur t’i shmangej Policisë për rreth 11 muaj, ndërsa operacionet e zhvilluara më herët për kapjen e tij nuk kishin rezultuar të suksesshme.
Arrestimi i tij erdhi një ditë pasi në banesën e Zallës shpërtheu një sasi eksplozivi. Pas ngjarjes, 49-vjeçari doli live në rrjetet sociale, ku denoncoi rastin dhe ngriti akuza ndaj Policisë.
Zalla është përmendur në raportime mediatike edhe në lidhje me vrasjen e Gilmando Danit dhe Muçi Shalianit në Rinas. Megjithatë, në njoftimin zyrtar për arrestimin, Policia e Shtetit e akuzon atë për armëmbajtje pa leje, ndërsa nuk e lidh zyrtarisht me vrasjet e ndodhura në Rinas.
Seanca gjyqësore vijon, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për masën e sigurisë ndaj 49-vjeçarit.