...
NATO ngriti katër avionë luftarakë dhe rrëzoi një dron të huaj që hyri në hapësirën ajrore të Letonisë mëngjesin e së premtes, në një kohë kur shtohen shqetësimet për incidentet ajrore në kufirin lindor të Aleancës.
Ministria letoneze e Mbrojtjes nuk e identifikoi menjëherë origjinën e dronit, por deklaroi se ai kishte hyrë në hapësirën e vendit “si rezultat i luftës elektromagnetike ruse”.
Një zyrtar i lartë letonez tha se droni ende nuk ishte gjetur dhe se autoritetet nuk do të nxitoheshin në përcaktimin e origjinës së tij.
Sipas NATO-s, droni u rrëzua nga një avion italian Eurofighter. Një tjetër avion italian dhe dy avionë luftarakë turq u ngritën gjithashtu në përgjigje të incidentit. Aleanca ka nisur hetimet.
Rusia ka vendosur sisteme për ndërhyrjen dhe manipulimin e sinjaleve në distriktin e saj ushtarak perëndimor, me synimin për të penguar dronët ukrainas me rreze të gjatë.
Sipas raportimit të Wall Street Journal, kjo ka shkaktuar disa raste kur dronët ukrainas kanë devijuar dhe kanë hyrë pa dashje në hapësirën ajrore të vendeve fqinje të NATO-s.
Incidente të tilla janë kthyer pothuajse në dukuri javore gjatë kësaj vere, duke shtuar shqetësimet se Rusia mund të testojë vendosmërinë e Aleancës përmes ndërhyrjeve ajrore të drejtpërdrejta ose të tërthorta.
Zyrtarët baltikë druhen gjithashtu se Moska mund të përdorë dronë ukrainas të kapur për të inskenuar një sulm nën “flamur të rremë”. Për këtë arsye është shtuar siguria rreth infrastrukturës kombëtare, përfshirë centralet elektrike dhe objektet e gazit natyror.
Zyrtarët ushtarakë perëndimorë paralajmërojnë ndërkohë se Rusia po përdor sistematikisht dronët e saj për të testuar mbrojtjen ajrore të Evropës.
Vetëm një ditë përpara incidentit në Letoni, avionët e NATO-s ndoqën dronë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë pranë kufirit me Ukrainën.