... Nami.al

Rikthehen tensionet në Egje mes Greqisë dhe Turqisë

Shkeljet e hapësirës ajrore greke nga mjetet ajrore turke janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2026, duke u përqendruar në Detin Egje dhe duke u kryer tashmë kryesisht me dronë.

Sipas të përditshmes greke Kathimerini, e cila i referohet të dhënave publike të Ministrisë greke të Mbrojtjes, nga zero shkelje turke në vitin 2024, numri u rrit në 225 gjatë vitit 2025 dhe ka arritur tashmë në 433 që prej fillimit të vitit 2026.

Gazeta evidenton një “prirje të qartë në rritje”, e cila është bërë edhe më e dukshme gjatë dy muajve të fundit.

Elementi i ri është përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve. Inkursionet “nuk kryhen më kryesisht nga avionë luftarakë, por nga dronë të llojeve të ndryshme”, të armatosur dhe të paarmatosur.

Mes mjeteve më të përdorura përmenden Bayraktar, Aksungur dhe ANKA-S.

Vetëm që prej fillimit të gushtit, Ministria greke e Mbrojtjes ka regjistruar 97 shkelje të hapësirës ajrore kombëtare, prej të cilave 72 janë kryer me dronë, sipas përllogaritjes së Kathimerini.

Të dhënat zyrtare të konsultuara nga AFP tregojnë se në këto operacione janë përdorur 33 dronë, përfshirë dy të armatosur, si dhe gjashtë avionë.

Sipas gazetës greke, përdorimi i dronëve krijon një asimetri të re mes dy vendeve.

“Ankaraja po adopton logjikën e shkeljeve me kosto të ulët dhe pa rrezik, duke e detyruar Athinën të kryejë përgjime të rrezikshme me një kosto financiare jashtëzakonisht të lartë”, vlerëson Kathimerini.

Doktrina operacionale e Forcave Ajrore greke kërkon ruajtjen e pranisë së vazhdueshme ajrore derisa mjetet turke të përgjohen dhe të largohen nga Egjeu. Për këto operacione përdoren ndër të tjera avionë luftarakë F-16 dhe Mirage 2000-5.

Megjithatë, shifrat e këtij viti mbeten shumë poshtë niveleve të regjistruara gjatë periudhës së tensioneve të forta greko-turke: në vitin 2022 u regjistruan 11 mijë e 258 shkelje, ndërsa në vitin 2023 ishin 1 mijë e 172.