...
Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot një takim në Kuç, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë reforma e re administrativo-territoriale dhe riorganizimi i bashkive.
Takimi pritet të mbahet rreth mesditës dhe në të do të marrin pjesë kryebashkiakë të bashkive që preken nga propozimi i ri për shkrirje apo riorganizim, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Në takim pritet të jenë edhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, dhe kreu i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku.
Në fokus të konsultimeve është edhe Bashkia Selenicë, e cila sipas draftit të Partisë Socialiste, të paraqitur në fund të korrikut, propozohet të riorganizohet. Drafti parashikon reduktimin e numrit të bashkive në 46.
Selenica është përfshirë në konsultimet për hartën e re territoriale, ndërsa Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka zhvilluar konsultime edhe në qarkun e Vlorës, ku bëjnë pjesë bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Delvinë.
Propozimi për bashkimin e Selenicës me Vlorën është kundërshtuar nga kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka kërkuar që bashkia të vijojë të funksionojë më vete. Në mbështetje të këtij qëndrimi është shprehur edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj.
Takimi i sotëm në Kuç zhvillohet në kuadër të konsultimeve për reformën e re administrativo-territoriale dhe pritet të hedhë më shumë dritë mbi qëndrimin e qeverisë dhe propozimet konkrete për të ardhmen e Selenicës dhe bashkive të tjera që preken nga drafti.