... Nami.al

Laç, qëlluan me armë drejt makinës së kushëririt pas një konflikti; 3 të arrestuar, një në kërkim

Tre persona, pjesëtarë të së njëjtës familje, janë arrestuar në Laç pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëvizte kushëriri i tyre.

Policia njoftoi se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në rrugën e Patokut, pas një konflikti verbal mes personave të përfshirë. Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka përshkallëzuar në përdorimin e armës.

Në pranga janë vënë Gj. L., 67 vjeç, Gj. (A.) L., 40 vjeç, babë e bir, si dhe E. L., 28 vjeç, kushëri i tyre. Të tre janë banues në Laç.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim V. Gj. (L.), 35 vjeç, djali tjetër i 67-vjeçarit.

Qëlluan drejt automjetit

Sipas policisë, 38-vjeçari P. L. kishte kallëzuar se, ndërsa lëvizte me automjet në rrugën e Patokut, ndaj tij ishte qëlluar me armë zjarri.

Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

Gjatë largimit nga vendngjarja, 38-vjeçari ka përplasur me automjetin e tij një tjetër automjet. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Automjeti i 38-vjeçarit është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Vijojnë kërkimet për personin në kërkim

Policia po vijon kërkimet për kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa po punohet edhe për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Kurbin

Qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte kushëriri i tyre, për motive të dobëta, arrestohen 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (familjarë të njëri-tjetrit).

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit P. L., 38 vjeç, se mesditën e djeshme, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte në rrugën e Patokut, ishte qëlluar me armë zjarri, u mundësuan lokalizimi dhe ndalimi i shtetasve të përfshirë në këtë rast, konkretisht Gj. L., 67 vjeç dhe Gj.(A.) L., 40 vjeç, babë e bir, dhe E. L., 28 vjeç, kushëri i tyre, të gjithë banues në Laç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim djali tjetër i shtetasit Gj. L., shtetasi V. Gj.(L.), 35 vjeç, banues në Laç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pas një konflikti verbal, për motive të dobëta, me kushëririn e tyre, shtetasin P. L., kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai. Nga ky rast, nuk pati shtetas të dëmtuar.

Shtetasi P. L., gjatë largimit nga vendngjarja, ka përplasur me automjetin që drejtonte, një automjet, me pasojë vetëm dëme materiale. Automjeti i 38-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Punohet për kapjen e shtetasit V. Gj.(L.), për gjetjen e armës së zjarrit, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, për individualizimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme