...
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi. Një 35-vjeçare shqiptare ka humbur jetën vetëm pak orë pasi solli në jetë fëmijën e saj të dytë, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Viosana Mane ishte shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Livadias për një lindje të planifikuar me prerje cezariane. Sipas të afërmve, shtatzënia kishte kaluar pa komplikacione dhe nuk kishte pasur asnjë shqetësim gjatë nëntë muajve.
Operacioni përfundoi me sukses dhe 35-vjeçarja solli në jetë një djalë të shëndetshëm. Megjithatë, gëzimi i familjes zgjati vetëm pak orë. Pas lindjes, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua me shpejtësi si pasojë e një hemorragjie të rëndë pas lindjes.
Mjekët e Spitalit të Livadias ndërhynë menjëherë për të ndalur gjakderdhjen dhe për ta stabilizuar, por për shkak të gjendjes kritike u vendos transferimi urgjent në Spitalin “Thriasio” në Athinë, ku u shtrua në repartin e terapisë intensive.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ekipit mjekësor, komplikacionet e shkaktuara nga humbja masive e gjakut rezultuan të pakthyeshme dhe 35-vjeçarja ndërroi jetë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik grek dhe në komunitetin ku jetonte familja. E ndjera la pas bashkëshortin, një djalë 8-vjeçar dhe foshnjën e porsalindur.
Pas vdekjes së saj, familjarët kërkojnë hetim të plotë për të sqaruar nëse komplikacioni u menaxhua sipas protokolleve mjekësore dhe nëse janë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme gjatë trajtimit të saj në Spitalin e Livadias.