... Nami.al

Nis protesta e 36-të, Arben Kola: Dhuna në komisariatin nr. 3, e financuar nga qeveria

Ka nisur protesta e 36-të kundër Qeverisë, duke marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik.

Një nga organizatorët e protestës, Arben Kola, deklaroi se protestat do të vijojnë në mënyrë paqësore deri në arritjen e objektivit të tyre politik, ndërsa akuzoi qeverinë për nxitje të dhunës gjatë tubimeve.

Kola tha se grupi i maskuar mbrëmjen e djeshme që theu xhamat e komisariatit nr.3, nuk janë pjesë e grupit organizator të tubimit, ndërsa pretendoi se janë të sponsorizuar nga qeveria për të njollosur protestën.

“E deklarojmë se protesta deri në fund do të jetë paqësore pavarësisht investimit të qeverisë apo segmente pranë qeveris që ka të bëjë me oligarkinë dhe mafien që nxisin të rinjtë e të reja për të pasur dhunë. Ne jemi deklaruar hapur, e thamë dhe mbrëmë, që protesta mbaroi këtu, kush ka dëshirë të qëndrojë. Ajo që kanë qëndruar mbrëmë janë elementë të sponsorizuar nga qeveria. Sado të mundohet kjo palo qeveri nuk do ia dalë. Çdo tentativë për ta njollosur protestën, nuk do të arrihet. Asnjë nga ato që ka ushtruar dhunë mbrëmë  nuk është pjesë e grupit nismëtar të protestës”, tha Arben Kola.