... Nami.al

Asgjësohen mbi 2 mijë bimë kanabisi në Shkodër, arrestohen dy persona dhe procedohet kryeplaku

Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, duke asgjësuar 2 098 bimë dhe fidanë të dyshuar cannabis sativa në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.

Sipas njoftimit zyrtar, në fshatin Ndrejaj, njësia administrative Shosh, shërbimet e Policisë konstatuan 768 bimë narkotike. Gjatë ndërhyrjes u arrestua në flagrancë shtetasi P. M., 53 vjeç, i cili u kap në parcelën ku dyshohet se kultivonte bimët. Në afërsi të banesës së tij u sekuestruan gjithashtu 80 kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Në një tjetër operacion në fshatin Vukël, njësia administrative Kelmend, policia zbuloi 1 250 bimë të dyshuara narkotike. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua pranë parcelës me bimët narkotike.

Po ashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Vukël, shtetasit K. B., 65 vjeç.

Të gjitha bimët dhe fidanët e zbuluar u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Policia e Shkodrës bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me synim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Njoftimi i Policisë:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Goditen 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.

Kapet në flagrancë në parcelën ku kishte kultivuar bimë narkotike dhe vihet në pranga 53-vjeçari.

Arrestohet në flagrancë edhe një 52-vjeçar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Vukël.

Asgjësohen me anë të djegies 2098 bimë dhe fidanë kanabisi.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve:

Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa.

Ndërsa, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua në afërsi të parcelës me bimët narkotike.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.