...
Pika kufitare e Morinës po përjeton një fluks të shtuar lëvizjesh, ndërsa mijëra qytetarë nga Kosova dhe vendet e rajonit kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për pushimet verore.
Sipas të dhënave zyrtare, nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin shqiptar 12 642 shtetas të huaj dhe 1 471 shtetas shqiptarë. Gjatë kësaj periudhe, kufirin e kanë kaluar edhe 119 autobusë.
Në të njëjtën kohë, daljet nga Shqipëria kanë qenë dukshëm më të ulëta, me 1 887 shtetas që kanë dalë përmes kësaj pike kufitare në 12 orët e fundit.
Pavarësisht numrit të lartë të udhëtarëve, autoritetet raportojnë se nuk janë krijuar radhë të gjata dhe procedurat e kalimit po vijojnë normalisht, të lehtësuara edhe nga marrëveshjet për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas autoriteteve kufitare, fluksi i lartë lidhet me sezonin veror, ku një numër i madh pushuesish zgjedhin bregdetin shqiptar për shkak të afërsisë gjeografike, çmimeve dhe ofertës turistike.