Sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi po shtohen, duke e kthyer këtë zonë në një sfidë të re sigurie për NATO-n. Gjatë muajit tetor, disa anije u goditën pranë ujërave të Rumanisë dhe Bullgarisë, vende anëtare të Aleancës. Mes tyre, një anije greke u fundos nga dronë detarë në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë.
Analistët ushtarakë dyshojnë se sulmet janë kryer nga Rusia, e cila mohon se ka shënjestruar anijet e vendeve fqinje. Sipas ekspertëve, Moska po teston reagimin e NATO-s dhe kufijtë e gatishmërisë së saj për të ndërhyrë, ndërsa Aleanca i ka cilësuar veprimet ruse si kërcënim serioz për sigurinë.
Në përgjigje të sulmeve, NATO ka njoftuar forcimin e pranisë në krahun lindor të Detit të Zi përmes avionëve të patrullimit, radarëve dhe dronëve. Megjithatë, Rumania kërkon më shumë sisteme radarike dhe interceptues për t’u mbrojtur nga kërcënimet ajrore.
Sipas të dhënave të kompanisë së sigurisë detare Ambrey, 317 anije tregtare dhe të tjera u goditën në Detin e Zi dhe atë të Azovit nga maji deri në tetor, më shumë se katër herë krahasuar me gjashtë muajt paraardhës.
Sulmet kanë dëmtuar rëndë transportin detar dhe eksportet e drithërave. Ukraina ka pezulluar operacionet në portet e Detit të Zi dhe po përdor rrugë alternative përmes Danubit dhe Rumanisë. Edhe eksportet ruse të drithërave kanë pësuar rënie të ndjeshme.
Ndërkohë, Turqia, Egjipti dhe India po nxisin një armëpushim të kufizuar detar për të shmangur pasoja të mëtejshme në tregtinë ndërkombëtare dhe çmimet e karburanteve e ushqimeve. Rusia e ka kundërshtuar propozimin, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëron se goditjet ndaj transportit të drithërave mund të shkaktojnë një krizë bujqësore globale
