Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në qytetin e Chiari-t, në Itali, ku 21-vjeçari Eduart Xhani dyshohet se ka vrarë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, duke e goditur disa herë me thikë.
Pas krimit, i riu është larguar nga banesa, ndërsa në orët e para të mëngjesit është paraqitur vetë në komandën provinciale të Karabinierëve në Cremona, ku ka rrëfyer ngjarjen dhe ka pranuar autorësinë.
Pas dëshmisë së tij, efektivët kanë shkuar në banesën ku jetonin nënë e bir, në rrugën Via Tagliata Traversa II, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Xhani është arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje, ndërsa motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të kuptuar nëse mes nënës dhe të birit kishte pasur konflikte apo tensione familjare.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin shqiptar të zonës, ku familja ishte e njohur dhe e integruar në jetën sociale të qytetit.
Denis Beqiri, president i Shoqatës Shqiptare në Chiari, është shprehur i tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke e përshkruar 21-vjeçarin si një djalë të sjellshëm dhe të përkushtuar.
“Eduarti ishte një shembull për komunitetin. Nuk do ta kishim imagjinuar kurrë një ngjarje të tillë. Ka bërë një veprim të pafalshëm. Nuk arrijmë ta kuptojmë”, është shprehur Beqiri për mediat italiane.
Ai ka treguar se i riu kishte kryer një praktikë në agjencinë e tij imobiliare, pas përfundimit të studimeve në institutin “Einaudi” në Chiari.
“Ishte shumë i zoti, përdorte pa vështirësi programet CAD, ishte modest dhe i përkushtuar. I kisha dhënë vlerësimin maksimal”, ka rrëfyer Beqiri.
Më pas, Eduart Xhani kishte nisur të punonte me të afërmit e tij në ndërtim dhe më vonë kishte gjetur punë në një kompani të zonës, ku aktualisht nuk rezultonte më i punësuar.
Ndërkohë, nëna e tij, Meleqe Lusha, punonte në një kooperativë që administronte shërbimin e mensës në Spitalin Civil të Brescias.
Sipas mediave italiane, nënë e bir jetonin vetëm në banesën ku ndodhi krimi. 39-vjeçarja e kishte rritur të birin me ndihmën e katër vëllezërve të saj. Eduarti ishte rritur pa praninë e babait dhe përshkruhej si një person i rezervuar, që frekuentonte shpesh palestrën.
Kryebashkiaku i Chiari-t, Gabriele Zotti, ka deklaruar se familja ishte e njohur në komunitet dhe se më parë nuk kishte pasur asnjë shenjë që të paralajmëronte një situatë problematike.
“Askush nuk kishte vënë re ndonjëherë diçka që të na bënte të mendonim se kishte probleme”, është shprehur ai.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivin që çoi në këtë krim të rëndë.
