... Nami.al

Shitja e drogës pranë shkollave, arrestohet 26-vjeçari! (Të riut i sekuestrohet kokainë dhe një thikë)

Është vënë në pranga ditën e sotme nga efektivët e Tiranës një 26-vjeçar nga Elbasani, i cili u “kap mat” me kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje, në afërsi të shkollave.

Në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, si dhe në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një mjet prerës (thikë).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.