... Nami.al

Shoqatat e transportit urban në protestë, nesër në mëngjes kyçen autobusët

Shoqatat e transportit urban dhe interurban kanë njoftuar një ndryshim të përkohshëm të orarit të shërbimit për ditën e nesërme. Më 26 nëntor, autobusët në të gjitha qytetet e vendit do të nisin qarkullimin në orën 08:00, në vend të orës 05:30, siç ndodh zakonisht.

Njoftimi është bërë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku nesër është parashikuar të votohet Paketa Fiskale dhe Projektbuxheti i Shtetit për vitin 2027.

Përmes një deklarate, operatorët bëjnë të ditur se ky qëndrim lidhet me kërkesat e tyre për të shmangur rritjen e çmimit të biletave dhe për të mos kaluar te qytetarët kostot shtesë fiskale.

Operatorët u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë shqetësimet dhe kërkesat e tyre, me qëllim ruajtjen e çmimit aktual të biletës dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit të transportit publik.

Deklarata e plotë:

Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketes Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe e garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.

Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik.

Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, do të nisë funksionimin në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik.