Shqipëria po zhvillon negociata me aleatët e NATO-s për blerjen e një sistemi antiraketor me rreze të mesme, i cili do të synojë mbrojtjen e territorit dhe infrastrukturës kritike nga kërcënimet ajrore, përfshirë raketat dhe dronët.
Zëvendës ministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, konfirmoi të premten, në një intervistë për Euronews Albania, se qeveria po punon për sigurimin e këtij kapaciteti, si pjesë e programit të modernizimit të Forcave të Armatosura në tri drejtimet: tokësor, ajror dhe detar.
Sipas saj, Shqipëria po kalon procesin më të madh të modernizimit ushtarak në 35 vitet e fundit, me synimin që faza aktuale të përmbyllet brenda dy deri në tre vjetësh.
Abrazhda nuk identifikoi modelin e sistemit antiraketor, vendet me të cilat po negociohet apo koston e mundshme të blerjes.
Megjithatë, një njoftim i Ministrisë italiane të Mbrojtjes, i publikuar disa muaj më parë, ofron një të dhënë konkrete mbi platformën që Shqipëria ka shqyrtuar.
Gjatë vizitës së gjeneralit Luciano Portolano në Tiranë, në prill 2026, pala italiane përmendi nevojën shqiptare për të zhvilluar mbrojtjen ajrore, duke shprehur interes për sistemin franko-italian SAMP/T.
Pista franko-italiane
SAMP/T është një sistem i mbrojtjes ajrore i zhvilluar nga industria franceze dhe italiane, që përdor raketat Aster për të neutralizuar kërcënime ajrore në distancë.
Në varësi të konfigurimit, platforma ofron mbrojtje kundër avionëve, raketave të lundrimit dhe disa kategorive të raketave balistike.
Për Shqipërinë, sigurimi i një sistemi të tillë do të nënkuptonte një investim të konsiderueshëm në mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Megjithatë, kostoja e SAMP/T mund të jetë një faktor përcaktues.
Alternativa të tjera të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme përfshijnë NASAMS, të zhvilluar nga industria norvegjeze dhe amerikane, dhe sistemin gjerman IRIS-T SLM.
Këto sisteme nuk kanë të njëjtat aftësi antiraketore si SAMP/T, por mund të ofrojnë zgjidhje për mbrojtjen nga avionët, dronët dhe raketat e lundrimit.
Nuk ka ende informacion publik që Shqipëria po negocion për ndonjërën prej këtyre alternativave.
Pas paketës amerikane prej 210 milionë dollarësh
Deklarata e Abrazhdës vjen vetëm tri ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të një pakete armatimesh për Shqipërinë, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh.
Siç raportoi Albanian Post më 18 nëntor, paketa përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS, municione precize, pajisje komandimi e komunikimi dhe mjete mbështetëse.
Shqipëria ka kërkuar gjithashtu gjashtë module raketore M31A2 dhe gjashtë module M30A2 GMLRS, që në konfigurimin standard përfaqësojnë gjithsej 72 raketa.
Ndryshe nga sistemet e mbrojtjes ajrore, HIMARS është projektuar për goditjen e objektivave tokësorë në distancë.
Kështu, dy projektet do të zhvillonin aftësi të ndryshme të Forcave të Armatosura: goditjen precize dhe mbrojtjen kundër kërcënimeve ajrore.
Miratimi amerikan nuk përbën ende një kontratë përfundimtare. Paketa parashikohet të financohet përmes një kredie në kuadër të programit amerikan Foreign Military Financing.
Përveç këtyre investimeve, Abrazhda përmendi ndërtimin e dy anijeve luftarake shumërolëshe në Pashaliman dhe integrimin e sistemit Link 16, që mundëson shkëmbimin e të dhënave ushtarake në kohë reale me aleatët.
“Lufta e shekullit XXI është luftë shumëdimensionale. Përmes një ekrani dhe përmes lidhjes së çdo pajisjeje të çdo shteti anëtar të NATO-s, ne koordinohemi dhe i adresojmë së bashku rreziqet ndaj Aleancës”, deklaroi ajo.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse interesi i shprehur më herët për SAMP/T do të konkretizohet në një marrëveshje me Italinë dhe Francën, apo nëse Shqipëria po shqyrton edhe sisteme të tjera.
