Prokuroria e Tiranës pritet të therrasë për të dhënë dëshmi Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Pas rikthimit nga Italia, ku qëndroi tre javë për trajtim mjekësor, Vishkulli pritet të pyetet nga organi i akuzës lidhur me rrethanat e plagosjes së tij.
Ndërkohë, organi hetimor ende nuk ka marrë në dorëzim letërporosinë për materialin e huaj që u nxor nga syri i 28-vjeçarit, gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale në klinikën e specializuar “Gemelli” në Romë.
Çështja vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka adminsitruar pamjet filmike të protestës dhe kartelën mjekësore të të plagosurit.
Në kuadër të hetimeve, po bashkëpunohet edhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë dyshimet për përdorimin jopropocional të forcës nga ana e policisë.
