... Nami.al

Zjarr, kaos dhe dhunë në Spanjë! Mbi 4 milion njerëz në grevë, përleshje në Barcelonë e Madrid

Mbi 4 milion spanjollë, ose 1/5 e fuqisë punëtore në vend, ju bashkuan grevës së përgjithshme kundër krizës së strehimit, e cila gjatë mbrëmjes përshkallëzoi në dhunë, në Barcelonë e Madrid. Përleshje dhe akte vandale u shënuan në Barcelonë, në përfundim të një marshimi paqësor ku morën pjesë rreth 55 mijë persona.

Incidentet nisën kur një grup të rinjsh me kapuç, shënjestruan dyqane të ndryshme mes Paseo de Gracia dhe Gran Via, pranë sheshit kryesor të Catalunya, duke thyer vitrinat e dyqaneve dhe duke u vënë flakën koshave të mbeturinave. Në disa raste, u shkulën edhe panelet mbrojtëse të vendosura nga tregtarët dhe më pas iu vendos zjarri.

Policia katalanase përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë personat përgjegjës për trazirat. Disa protestues hodhën mjete piroteknike dhe flakadanë në drejtim të policisë. Presidenti i Katalonjës, Salvador Illa, dënoi dhunën, duke theksuar se aktet e vandalizmit nuk përfaqësojnë protestuesit që marshuan në mënyrë paqësore.

Tensione pati edhe në Madrid, ku policia u përplas me një grup protestuesish që tentuan të mbërrinin në Plaza de Espana. Sipas autoriteteve, në protestë morën pjesë rreth 120 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri arriti në 750 mijë. Forcat e policisë raportuan 73 arrestime rreth vendit, dhe mbi 1 mijë incidente të lidhura me grevën e përgjithshme që mbahet pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme.

Spanja përballet me një mungesë prej rreth 750 mijë banesash, që pritet të kalojë 1 milion deri në vitin 2028, ndërsa rritja e qirave ka rënduar ndjeshëm përballueshmërinë, duke bërë që një i ri të shpenzojë mesatarisht 98.7% të pagës mujore për një banesë me qira.