Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se do të ngrejë padi penale ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, si dhe ndaj drejtuesve të tjerë të institucioneve të drejtësisë, në vijim të kallëzimit të tij ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK-u, ku u pyet në lidhje me kallëzimin ndaj Gjokës, Berisha deklaroi se Dumani “e ka të garantuar” padinë, ndërsa përmendi edhe Ilir Rusin dhe kreun e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanin.
Sipas Berishës, institucionet kanë shmangur përgjegjësinë për dokumentacionin e çështjes së Gjokës, duke ia kaluar njëri-tjetrit përgjegjësinë për dosjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Pas Irenës, padi do të ngrihen ndaj Ilir Rusit, ose Llagamit, ndaj kreut të ILD-së…Të cilët bëjnë ping pong me njëri-tjetrin, por kur kërkohet dosja e KLGJ-së, KLGJ-ja thotë nuk e kemi. ILD-ja thotë ia kam dërguar KLGJ-së. Pra do të ngrihet padi penale ndaj tyre, natyrisht Dumani e ka të garantuar. Unë vazhdoj këtë përpjekje, sepse kur ky sistem i ngritur me kushtetutë, degradon në një shkallë të tillë të turpshme…! Kjo është praktikë pengmarrje. Dumani ose ka marrë pare, ose është peng i Gjokës, për favoret që i ka bërë”.
