... Nami.al

Shpërthimi i bombolës së gazit në Elbasan, 15 familjet përfitojnë bonus qiraje për një vit!

15 familjet që mbetën pa shtëpi pas shpërthimit të bombolës së gazit në një pallat pesëkatësh në Elbasan do të përfitojnë bonus qiraje për një vit, me mundësi zgjatjeje deri në rikthimin e tyre në banesa. Vendimi u miratua këtë të martë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, me procedurë të përshpejtuar, pas përfundimit të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit.

Të 15 familjet kanë nënshkruar kontratat, ndërsa Bashkia ka verifikuar çmimet e tregut për të përcaktuar vlerën e bonusit. Shpenzimet do të mbulohen në bazë të ligjit për emergjencat civile, deri në akomodimin përfundimtar të banorëve.

Ndërkohë, familjet kanë nisur të kërkojnë banesa me qira, pasi konvikti i vënë në dispozicion nga Bashkia nuk është shfrytëzuar. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se institucionet do të diskutojnë alternativat për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa inxhinierët do të vlerësojnë gjendjen e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme.

“Sot kemi një takim pune në terren për të diskutuar cilat do të jenë alternativat që do të ndjekim. Do të kenë një mbështetje absolute. Të gjitha institucionet duhet të ndërveprojnë për zgjidhjen e problemit. Ajo ishte një tragjedi që mund të ishte më e rëndë. Dy jetë njerëzish është fatkeqësi, por duhet të shohim përpara për adresimin e të gjitha shqetësimeve të banorëve të atij pallati”, tha Demo.

Ai theksoi se çdo vendim për të ardhmen e ndërtesës duhet të merret në mirëkuptim me banorët.

“Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës, ndërhyrjet e mundshme dhe në bazë të këtij informacioni do të shohim alternativat që kemi. Ne jemi sot për të treguar vullnetin që kjo do të marrë një zgjidhje”, u shpreh ministri.
Edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, tha se synimi është gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për familjet e prekura.

“Ne jemi këtu për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje përfundimtare. Po presim raportin përfundimtar të Inspektoratit të Ndërtimit”, deklaroi Llatja.
Shpërthimi i bombolës së gazit në pallatin pesëkatësh shkaktoi dy viktima dhe 10 të lënduar. Dëmet në ndërtesë detyruan evakuimin e banorëve dhe nxorën jashtë përdorimit apartamentet e prekura.