... Nami.al

Hetimi ndaj Irena Gjokës, SPAK thërret kreun e PD Sali Berisha për ta pyetur si kallëzues!

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve dhe për kthimin e dosjes për plotësim të tyre ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjokës, prokuroria vijon veprimet hetimore duke thirrur për të pyetur më datë 12 nëntor ora 10 kreun e opozitës Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin si kallëzues.

Të dy do të pyeten në cilësinë e kallëzuesve, lidhur me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares Irena Gjoka që ka firmosur kërkesat e prokurorisë për dosjen “Partizani”.

SPAK kishte kërkuar pushimin e procedimit penal, duke argumentuar se, megjithëse ishte konstatuar ekzistenca e një vendimi penal ndaj Gjokës nga drejtësia greke, nuk ishte provuar se ajo kishte pasur dijeni për këtë vendim në kohën e plotësimit të formularëve të dekriminalizimit. Prokuroria kishte argumentuar gjithashtu se ndjekja penale ishte parashkruar.

Por Gjykata e Posaçme, me vendimin e 19 majit 2026, nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë dhe urdhëroi vijimin e hetimeve, duke i lënë SPAK-ut një afat prej gjashtë muajsh për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Në vendim janë përcaktuar rreth 20 detyra hetimore, mes të cilave edhe marrja në pyetje e kallëzuesve.

Në fokus të hetimit mbetet pretendimi se gjyqtarja nuk ka deklaruar në formularët përkatës një dënim të dhënë nga një gjykatë në Janinë të Greqisë. Nga ana tjetër, Irena Gjoka ka deklaruar më herët se nuk ka pasur dijeni për këtë vendim.

Thirrja e Berishës dhe Malltezit në SPAK përbën një nga veprimet konkrete në zbatim të detyrave të lëna nga gjykata. Mbetet për t’u parë nëse dëshmitë dhe provat që do të paraqiten prej tyre do të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të çështjes dhe ndryshimin e qëndrimeve të SPAK.

Kujtojmë se Gjykata jo vetëm që refuzoi mbylljen e çështjes, por i la prokurorisë një listë të gjatë me rreth 20 detyra dhe një afat prej 6 muajsh për të kryer verifikime të thella në Greqi mbi vërtetësinë e fshehjes së dënimit në formularin e dekriminalizimit./Syri