... Nami.al

Studentët sfidojnë qeverinë në Kushtetuese: Synojnë të na heqin të drejtën për të protestuar!

Studentët çojnë në Kushtetuese tre ankime kundër akteve të qeverisë: Kundërshtojnë kufizimet ndaj protestave

Tre ankimet janë depozituar në Gjykatën Kushtetuese kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor, të cilat, sipas tyre, cenojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate për mediat nga përfaqësues të grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”.

 Ankimet janë nënshkruar në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.

Në fokus të kundërshtimeve është fillimisht Akti Normativ nr. 5/2026, për të cilin studentët pretendojnë se zgjeron kompetencat e policisë për kufizimin e protestave pranë institucioneve, largimin e qytetarëve nga zonat e mbrojtura, kërkimin e fshirjes së postimeve në rrjetet sociale dhe vendosjen e gjobave deri në 500 mijë lekë.

Një tjetër objekt ankimi është Akti Normativ nr. 6/2026, i cili parashikon përgjegjësi solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit. Sipas studentëve, ky akt parashikon gjithashtu sanksione për veprime të kryera përpara hyrjes së tij në fuqi.

Ankimi i tretë lidhet me VKM-në nr. 815/2026, që parashikon krijimin e një regjistri policor pranë prokurorisë. Studentët pretendojnë se mekanizmi mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa vendim gjykate, njoftimin e shtetit ku udhëton personi dhe informimin e strukturave hoteliere nga policia.

Përmes deklaratës, protestuesit i cilësojnë këto masa si kufizim të hapësirës demokratike dhe kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin me përparësi të ankimeve, si dhe pezullimin e zbatimit të dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ata bëjnë me dije se kanë kërkuar që kontrolli kushtetues të shtrihet edhe mbi ligjet miratuese, në rast se aktet normative miratohen nga Kuvendi, duke argumentuar se kjo nuk duhet të sjellë humbjen e objektit të ankimeve.

Në përfundim, studentët theksojnë se kundërshtojnë çdo mekanizëm që, sipas tyre, e trajton pjesëmarrjen në protesta si arsye për ndëshkim dhe kufizon të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar vendimmarrjen e qeverisë.