... Nami.al

Rama pas raportit të Progresit: Shqipëria vlerësohet më lart se kurrë, dera e BE-së është e hapur

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X pas publikimit të Raportit Vjetor të Progresit nga Komisioni Europian.

Rama e cilëson vlerësimin e marrë nga Shqipëria si një moment krenarie dhe një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa thekson se vendi ka ende shumë detyra për të përmbushur.

Kreu i qeverisë e konsideron momentin aktual si një mundësi historike, duke paralajmëruar se përçarjet e brendshme nuk duhet të pengojnë rrugëtimin europian të vendit.

Kryeministri Edi Rama në platformën X:

Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.

 Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.

Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.

Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.

Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.